Reagim
Reagim

Reagim

Krijuar në datën 07/24/2025

Agjencia e Menaxhimit Emergjent dëshiron të sqarojë dhe informojë opinionin publik lidhur me paraqitjet dhe shqetësimet e ngritura në media lidhur me investimet dhe kushtet e punës në Njësitë Profesionale të Zjarrfikës dhe Shpëtimit në nivel vendi.

Së pari, AME konfirmon se Njësitë Profesionale të Zjarrfikës dhe Shpëtimit janë staf i Agjencisë dhe menaxhohen në koordinim me nivelin lokal. Për më tepër, pjesa financiare, përfshirë pagat, mëditjet, shtesat dhe mirëmbajtja teknike, mbetet kompetencë e komunave. Megjithatë, AME vazhdimisht ka bërë përpjekje të vazhdueshme për të adresuar këto çështje dhe për të përmirësuar kushtet e punës dhe kapacitetet e njësive.

Gjatë viteve të fundit, AME ka bërë investime të rëndësishme për forcimin e kapaciteteve operacionale të Njësive të Zjarrfikës dhe Shpëtimit. Vetëm në vitin 2024 dhe në vazhdim, janë investuar në pajisje, duke përfshirë automjete zjarrfikëse me auto shkallë, aparate të frymëmarrjes, si dhe uniforma kundër zjarrit. Në vitin 2025, janë punësuar 56 pjesëtarë të rinj, sipas kërkesave dhe zotimit të mjeteve nga vetëm 12 komuna, duke kontribuar në rritjen e kapaciteteve njerëzore.

AME është gjithashtu duke punuar intenzivisht në përgatitjen dhe hartimin e ndryshimeve ligjore, që kanë për qëllim rregullimin e organizimit të njësive dhe centralizimin e menaxhimit financiar, në mënyrë që të sigurohet një funksionim më efikas.

Agjencia dëshiron të theksojë shqetësimin e saj lidhur me tendencat që në disa media dhe debate publike synojnë të zbehin apo të minimizojnë suksesin dhe angazhimin e jashtëzakonshëm të Agjencisë dhe të pjesëtarëve të Njësive Profesionale të Zjarrfikës dhe Shpëtimit. Këto përpjekje për të relativizuar punën e tyre nuk janë vetëm të padrejta, por edhe të dëmshme, duke pasur parasysh se ata janë në vijën e parë të zjarrit dhe çdo ditë rrezikojnë jetën për të mbrojtur qytetarët, pronën dhe vendin tonë.

Në këtë kontekst, Agjencia e Menaxhimit Emergjent falënderon çdo pjesëtar të Njësive të Zjarrfikës dhe Shpëtimit për përkushtimin, profesionalizmin dhe guximin që tregojnë në çdo moment të detyrës së tyre. Puna dhe angazhimi i tyre mbetet thelbësor për sigurinë dhe mirëqenien e qytetarëve tanë.

Në përfundim, AME mbetet e përkushtuar në bashkëpunim të vazhdueshëm për të adresuar çdo sfidë dhe për të përmirësuar më tej kushtet e punës dhe kapacitetet e Njësive Profesionale të Zjarrfikës dhe Shpëtimit, në shërbim të sigurisë së qytetarëve.