Prishtinë, 12.08.2024
Agjencia e Menaxhimit Emergjent/ Ministria e Punëve të Brendshme i'u drejtohet qytetarëve për aktivizim në parandalimin e zjarrvënieve në pyje dhe hapësira tjera publike ashtu edhe private përmes këtij apeli.
APEL
Të nderuar qytetarë, meqenëse jemi në sezonin e verës me temperatura të larta të ajrit, e të cilat ndikojnë në rritjen e rrezikut për shfaqjen dhe shtrirjen me shpejtësi të zjarreve në sipërfaqe të hapura malore dhe fushore e me qëllim të evitimit të rrezikut nga zjarri, mbrojtjes të qytetarëve, të pronës, shtazëve dhe ambientit, APELOJMË, të jemi të gjithë shumë të kujdesshëm dhe vigjilent për shmangien e të gjithë shkaktarëve të mundshëm të zjarrit, vërejtjen dhe lajmërimin me kohë në numrat emergjent, si dhe të aktivizohemi secili në ndihmë me kohë në shuarjen e zjarrit, kudo që ai mund të paraqitet dhe kërcënon, pasi që për një veprim të tillë përveç tjerash na obligon edhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës si dhe aktet tjera ligjore dhe nënligjore.
Vlenë të theksohet dhe t'ju bëhet e ditur se zjarrëvënia e qëllimshme, si dhe ato të shkaktuara nga pakujdesia, janë vepër penale të cilat sankcionohen me ligj.
E rëndësishme, në rast se hasni në ndonjë rast dyshimi për rrezik nga zjarri, numrat emergjent në të cilët ju duhet të drejtoheni dhe t'i informoni por edhe ndihmë të kërkoni pa pagesë 24/7 janë:
- 112 Qendra Operative Emergjente nga VALA dhe IPKO ( pa pagesë), 193 Zjarrfikësit, 192 Policia dhe 194 Shërbimi Mjekësor Emergjent.
Në 79 vatra zjarri në tri ditët e fundit nga data 08 Gusht 2024, sot me dt. 12.08.2024 tri janë aktive, dhe atë: 1.Parku Nacional –Prevallë,2. Malishevë në fshatin Bubël, dhe 3. Kamenicë në fshatin Tugjevc.
Në secilën nga këto vatra zjarri aktive, njësitë e zjarrëfikësve shpëtues me institucionet relevante janë në monitorim dhe operacione të parandalimit të shtrirjes së zjarrit.
Paralajmërimi i hershëm - veprimi i hershëm, shpëton jetë, të mira materiale dhe ambientin e përbashkët për të gjithë qytetarët e vendit.
Ju ftojmë dhe presim bashkëpunim të ndërsjellë.